FSFE-ja parashtron komentet mbi Strategjinë e Komisionit Europian mbi Tregun e Përbashkët Dixhital
Komisioni Europian ka vendosur ta sjellë
tregun e përbashkët të BE-së në formë për epokën dixhitale, duke adoptuar
“Një Strategji për një Treg të Përbashkët Dixhital” që synon heqjen e pengesave
rregullatore mes 28 tregjeve të ndryshëm kombëtare.
Sipas Komisionit, një Treg i vërtetë i Përbashkët Dixhital (TPD)
mund të arrihet duke ndërmarrë veprimet vijuese:
- Dixhitalizim i industrisë si një sistem i mençur industrial
në mënyrë që krejt sektorët industrialë të jenë në gjendje të integrojnë
teknologji të reja.
- Krijim standardesh dhe ndërveprueshmërie në fusha të tilla si
"Interneti i Gjërave", siguria kibernetike, big data, dhe "reja".
- Fillimi i nismave mbi "rrjedhën e lirë të të dhënave" dhe një
Re Europiane Shkence të Hapur si katalizatorë për rritje, risim dhe
dixhitalizim.
- Çlirimi i përfitimeve nga e-shërbime të cilësisë së lartë dhe
shpënia më tej e aftësive dixhitale.
FSFE-ja beson se Software-i i Lirë është një parakusht thelbësor për
TPD-në dhe mund të furnizojë potencialin rinovues të dëshiruar për të cilin
ka nevojë Europa që të mund të jetë e suksesshme në konkurrencë në
tregun mbarëbotëror të TIK-ut. Software i Lirë do të ndihmojë të arrihen
shumica e objektivave të vendosura nga Komisioni për arritjen e një tregu
të vërtetë të përbashkët dixhital. Në veçanti:
- Duke ofruar mjete për përdorim, ndarje me të tjerët, studim dhe përmirësim
të software-it Software-i i Lirë është thelbësor në dixhitalizimin
e krejt sektorëve të industrisë, ngaqë hyrja
në të është e lehtë dhe lejon që teknologjisë dhe shërbimeve
dixhitale t’u jepet formë sipas nevoja specifike të krejt
aktorëve në industri të ndryshme.
- Që të arrihet ndërveprueshmëria sa më e gjerë mes
shërbimesh të cilat bizneset mund t’i përdorin dhe
të bazohen mbi to, Europa ka nevojë për standarde
që janë të hapura, minimale dhe të sendërtueshme përmes
Software-it të Lirë. Që fusha të tilla si "Interneti
i Gjërave", "reja" dhe big data të jenë në gjendje të jenë
të ndërveprueshme mes sektorësh të industrisë, Software-i i Lirë
duhet të sendërtohet në to sa më herët që të jetë e mundur.
- Software-i i Lirë nxit të menduarit dixhital dhe promovon
kërkimin, dhe këto të dyja do të ofrojnë e-shërbime të cilësisë
së lartë dhe, më e rëndësishmja, do të thellojnë përmes arsimit
aftësitë e përparuara dixhitale.
Prandaj, FSFE-ja i kërkon Komisionit t’i ketë parasysh rekomandimet tona
gjatë punës për arritjen e objektivave të theksuar në strategjinë
për një Treg të Përbashkët Dixhital, dhe të heqë pengesat për
adoptimin më të gjerë të mundshëm të Software-it të Lirë në politikat e BE-së.
Ju lutemi, lexoni vlerësimin e plotë nga FSFE-ja të Strategjisë për një Treg të Përbashkët Dixhital.